Besa dhe Sprova e Durimit – Tregim i Shkurtër

Besa dhe Sprova e Durimit – Tregim i Shkurtër

Kishte dalë njëherë një lajmërim dhe u shpall në fshat e në qytet, që të mblidhej Kuvendi i Burrave të Dheut, tek logu në mrizat e majave të larta, ku sofrat ishin të rrumbullakta dhe të ulëta.

Lajmërimi e kishte një kornizë.

Lajmërimi e kishte një titull.

Lajmërimi e kishte një hyrje.

Lajmërimi e kishte një përmbajtje.

Lajmërimi e kishte edhe një mbarim.

Lajmërimi ishte i thjeshtë.

Lajmërimi ishte i qartë në pamje të parë.

Lajmërimi ftonte burrat, pleqësinë dhe vegjëlinë në kuvend, në Besë të Zotit dhe në Besë të të parit. Por lajmërimi e kishte edhe një nënkuptim që vetëm të urtit ia dinin në fshehtësi. Aty fillonte sprova e durimit ku çdo i ri duhet të sprovohej.

U hap lajmi tek i madh dhe i vogël dhe disa ia dinin rëndësinë, kurse disa të tjerë jo. Shumë vetë e lexuan. Shumë vetë e morën lajmin me gëzim. Disa e morën me nxitim. Dhe disa të tjerë nuk e kuptuan. Rruga për në Kuvend ishte disi e gjatë dhe rruga nuk ishte e lehtë. U nisën të mëdhenj e të vegjël, secili në kohë të vet, secili për të arritur në kohën e duhur në mrizat e kuvendit të burrave.

Një djalë i tha babës së vet:

– Babë, unë po shkoj përpara, se dua të jem unë i pari që të arrij në Kuvendin e Burrave të Dheut.

– Prit, – i tha baba, – se është rrugë e gjatë dhe nuk i njeh ti mirë ato vija dhe ato shtigje.

Por djali nuk ia dëgjoi fjalën të atit dhe u nis e mori rrugën vetëm. Por nuk i ishte dhënë djalit për të ditur pse duhet të tregonte durim dhe s’mund t’ia jepte shpjegimin as baba, në Besë të Zotit, që të kishte hapësirë për djalin për të zënë mësim. Kështu që shkoi djali e arriti atje ku prisnin pleqtë e Kuvendit, dhe u tha:

– Unë arrita i pari dhe ia paskam kaluar të tjerëve. Dhe e pyeti njëri prej pleqve:

– Vetëm u nise, or bir?

– Jo, – i tha djali. – Baba është duke ardhur, por unë eca më shpejt se baba dhe ja ku jam. Ai është i vjetër dhe s’mund të ecte si unë. Unë desha të isha i pari në Kuvendin e Burrave dhe arrita, – tha djali me gëzim.

– Kthehu! – i tha plaku i Kuvendit.

– Ti nuk merr pjesë në Kuvendin e Burrave të Dheut. Ti e le babën vetëm në rrugë se deshe të ishe vetë i pari. Ti s’pate durim. E si mund të kesh besë për Kuvend ti kur nuk ke ende durim?

Fjalët i ranë të rënda djalit, dhe, kokë ulur, filloi të ndiqte hapat e kthimit për të gjetur babën rrugës dhe kur e arriti i tha:

– Babë, mua burrat e Kuvendit të Dheut më përzunë dhe thanë se s’pata durim, dhe thanë se s’marr pjesë në Kuvendin e Burrave të Dheut sepse s’pata durim.

– S’ka gjë, – i tha baba, – unë të thashë prit, por ti s’më dëgjove. Shpresoj që nga kjo që të ndodhi të zësh mësim, – dhe bashkë vazhduan të ecin.

Shumë po e bënin rrugën nga vende të ndryshme për të arritur në të njëjtin vend. Një djalë tjetër po ashtu, që ishte nisur bashkë me babën, i tha babës:

– Babë, unë po shkoj përpara, se dua të jem unë i pari në Kuvendin e Burrave të Dheut.

– Prit ta bëjmë rrugën bashkë, – i tha baba.

– Ti ecën ngadalë, – i tha djali, – dhe unë dua të jem i pari që arrin në Kuvendin e Burrave. Kështu që unë po shkoj përpara dhe të pres atje dhe po marr rrugën e shkurtër nga mali, – i tha djali dhe rendi të arrinte majat e bjeshkëve. Ndërkohë që i ati nuk i bëri më zë dhe e la të shkonte duke psherëtirë dhe vazhdoi rrugën më ngadalë. Por nuk i ishte dhënë djalit të dinte se ku bënte pritë armiku, dhe nuk i ishte dhënë djalit të dinte pse duhet të bënte durim. Pas një cope rruge djalin e kapën një çetë me hajdutë dhe i vodhën çfarë kishte me vete, pastaj e lanë të shkonte. Djali rendi të kërkonte ndihmë në Kuvendin e Burrave të Dheut. Kur arriti u tha:

– U nisa për në Kuvendin e Burrave dhe rrugës më bënë pritë disa hajdutë dhe më vodhën gjithçka kisha. A më ndihmoni dot t’i kapim ata hajdutë që t’ua marrim ato që më vodhën? Njëri nga pleqtë e Kuvendit foli dhe i tha:

– Me kë u nise, mor bir? – Me babën, – i tha djali, – por unë renda përpara që të arrija i pari në Kuvendin e Burrave, se baba deshi të merrte rrugën e gjatë, ndërkohë që unë desha të merrja të shkurtërën. E si mund të arrija unë i pari në qoftë se do të ecja ngadalë me plakun? Dhe plaku i Kuvendit e pyeti dhe i tha:

– More bir, kur u ftove për në Kuvendin e Burrave të Dheut, a të kërkoi kush që të vije ti i pari?

– Jo, – i tha djali, – por unë desha vetë.

– Kthehu tek baba! – i tha plaku i Kuvendit. – Ti nuk do të marrësh pjesë në Kuvendin e Burrave të Dheut. E si mund të kesh besë ti për Kuvend, kur ti nuk pate durim të ecje me plakun? E le vetëm, dhe rrugës të vodhën. Po të kishe ecur me babën, nuk do të kishin ndodhur këto gjëra. Ai i di mirë rrugën dhe shtigjet e këtyre maleve, e di edhe ku e bën pritën armiku. Kështu që kthehu tek baba, ti nuk do të marrësh pjesë në Kuvend.

Kokë ulur djali, dhe dy herë i turpëruar u kthye në drejtim të rrugës së gjatë për të gjetur babën. Kur e arriti, i tregoi historinë çfarë i kishte ndodhur. I ati e pa dhe e këshilloi:

– Unë të fola, mor bir, por ti s’më dëgjove. Unë të thashë të shkonim bashkë, por ti u nxitove. Kështu që ke ende hapësirë për të mësuar, biri im. – Dhe bashkë vazhduan rrugën drejt Kuvendit të Burrave të Dheut.

Shumë burra ishin nisur për në Kuvendin e thirrur me djemtë e tyre dhe një djalë tjetër me babën e tij. Ecën sa ecën bashkë dhe i ati ndaloi tek një gurre ku ishte një burim i freskët për të bërë pak pushim. Ndërkohë djali i tha të atit:

– Babë, nëse ndalojmë do të vonohemi për të arritur në Kuvend.

– Prit, – i tha baba, – ti nuk ke qenë ndonjëherë  atje dhe unë e di rrugën. Prit se kam nevojë të bëj pak pushim dhe të hamë pak bukë, dhe të pijmë pak ujë nga ky burim i freskët.

– Unë di ta gjej edhe vetë rrugën, babë, – i tha djali, – unë e kam dëgjuar ku bëhet Kuvendi edhe pse s’kam qenë ndonjëherë. Unë po nisem përpara, babë, se s’dua të jem me vonesë që herën e parë që po shkoj në Kuvend.

– Prit, – i tha baba, – dhe bëj durim. Nuk nis Kuvendi pa ne, dhe burrat na presin se nuk jemi vonë.

– Unë po nisem përpara, – i tha djali, – se mezi pres të shkoj në Kuvend. Dhe meqë jam vetëm, po marr rrugën e malit që t’i bie shkurt, po marr edhe ushqimin me vete dhe e ha atje. S’dua të shkoj me vonesë në Kuvend dhe bashkë po ecim ngadalë, pastaj u them unë të tjerëve që të mos e fillojnë Kuvendin pa ardhur edhe ti.

– Bëj durim, – i tha baba, – se nuk jemi me nxitim.

Ndërkohë djali iku e u nis rrugës së malit dhe u nda nga rruga e rrëzës që po ndiqte me plakun. Por nuk i ishte dhënë djalit të dinte se cila rrugë ishte më e mira, ndërkohë që i ati i njihte mirë ato rrugë, dhe i njihte mirë ato shtigje.

Eci sa eci djali dhe mbas një kodre i dolën disa ujqër dhe djali u tremb dhe u mundua t’i shmangte. Dhe nuk i ishte dhënë djalit të dinte se ku bënin pritë egërsirat, ndërkohë që plaku i njihte mirë ato shtigje. Ujqërit e rrethuan, dhe njëri e kafshoi, dhe tjetri i grisi pantallonat. Por djali u tregua i shkathët, mori një shkop dhe i largoi. Pastaj mendoi që, po t’u jepte nga ushqimi që kishte marrë me vete, do ta linin rehat. Dhe ashtu bëri. U hodhi pak ushqim, dhe ujqërit vajtën mbas erës së ushqimit dhe, ndërkohë që djali nxitoi, e kaloi edhe një kodër, la edhe pak ushqim mbrapa nëse ujqërit e ndiqnin, që të rrinin pas ushqimit dhe pas pak kohe arriti në Kuvend.

– Mirë se erdhe, – i thanë pleqtë e Kuvendit, – qenke plagosur dhe qenke grisur, mor bir.

– Mora rrugën kodrave dhe malit, – i tha djali, – dhe më zunë pritë disa ujqër. Ju hodha pak ushqim dhe mezi i largova.

– Shyqyr që je mirë, mor bir, – i thanë pleqtë.

– Vetëm u nise? – e pyeti njëri prej pleqve të Kuvendit. – Jo! – i tha djali. – U nisa me tim atë. Por ai ndaloi rrugës të pushonte dhe unë s’desha të ishim vonë për në Kuvend. Kështu që unë mora shtegun e malit dhe jo atë të rrëzës ku po ecnim me plakun, që ta arrija më parë dhe t’ju thosha juve që të mos fillonit Kuvendin pa ardhur edhe im atë.

– Ti nuk do të marrësh pjesë në Kuvend! – i tha njëri prej pleqve. – Ti nuk pate durim për të pritur babain tënd. Si mund të kesh ti besë për Kuvend, ndërkohë që nuk pate durim të vije me tët atë? Ujqërit të panë vetëm, prandaj të sulmuan. Po të kishe ardhur me babain, nuk do kishe qenë vetëm. Tani erdhe vetëm dhe erdhe i plagosur, ndërkohë që le dhe plakun vetëm, ndërkohë që ndonjë rrezik mund t’i kanoset edhe atij. Ne do të të mjekojmë, – i tha plaku, – dhe të japim rroba të tjera dhe ushqim. Por kthehu tek yt atë, dhe ti nuk do të marrësh pjesë në Kuvend.

Djali u mërzit dhe u pikëllua, por nuk ia bëri dysh fjalën plakut të Kuvendit, dhe pasi e mjekuan, e ushqyen dhe u ndërrua, atëherë u nis për tek plaku. Kur arriti te ati, i tregoi se çfarë i kishte ndodhur, dhe i kërkoi falje që ishte treguar i paduruar.

– S’ka gjë, – i tha i ati, – shyqyr që ke shpëtuar. Unë të thashë të bëje durim, mor bir, por ti u tregove i nxituar. Shpresoj të kuptosh që ke ende për të mësuar, se durimi është sprova e Besës së Zotit dhe Besës së të parit, dhe jo nxitimi. Prandaj nuk thonë kot: “I duruar dhe i fituar.” Hajde ta udhëtojmë bashkë për në Kuvend këtë rrugë që ka mbetur, – i tha plaku. Dhe vazhduan rrugën.

Shumë burra ishin nisur për në Kuvendin e Burrave të Dheut, disa me djemtë e tyre, dhe disa vetëm, ndërsa disa të tjerë vetëm si djem dhe pa baballarët e tyre. Ishte nisur edhe një burrë në moshë me djalin e tij. Ecnin rrugës bashkë, dhe i ati i tregonte histori të ndryshme të trimërisë së maleve dhe Besës së Shqiptarit. Dhe djali e dëgjonte me kureshtje dhe kënaqësi. Rruga ishte e gjatë dhe plaku kishte durim, e nuk lodhej duke i treguar të birit për lavdinë e fiseve që kishin luftuar për liri. Dhe i biri nuk lodhej duke dëgjuar dhe i bënte pyetje pas pyetje me kënaqësi. Dhe shpeshherë djali në imagjinatën e tij mundohej të shihte skenat e historive që i ati i tregonte, dhe mundohej të përmbushte pamjen e maleve të shkreta, që dikur gumëzhinin me jetë, me sprovë, me guxim, dhe mundohej djali të shihte fytyrat e heronjve për të cilët plaku i kish treguar, për të cilët këndoheshin këngët e maleve nga ato që djali kish dëgjuar.

Herë pas here, plaku vetë e provonte të birin a do të kishte durim. Dhe herë bënte sikur i dhimbnin këmbët nga rrugët e maleve dhe ngadalësonte ritmin duke u ankuar, dhe herë kërkonte ndonjë pushim. Dhe i biri nuk i mërzitej të atit, por mundohej t’i gjendej pranë me çfarë mundej dhe ta ndihmonte në atë rrugëtim.

Si pa u ndjerë arritën babë e bir në mrizat e Kuvendit të Burrave të Dheut, ku po përgatiteshin sofrat e pleqësisë, ku të rinj e të vjetër ishin mbledhur, e të tjerë afronin e ishin duke ardhur.

– Mirë se vini, – i tha njëri prej pleqve të Kuvendit djalit dhe të atit.

– Mirë se ju gjejmë, – thanë udhëtarët. – Urdhëroni, – i tha një më i ri, – babë e bir, e keni vendin në sofren e Kuvendit të Burrave të Dheut.

– Qofsh bekuar, mor bir, – i thanë me radhë pleqtë djalit, – që babain nuk e paske lënë vetëm! Dhe miq të vjetër u poqën dhe u takuan, dhe miq të rinj u njohën me njëri-tjetrin nën Besën e Zotit dhe Besën e të parit.

Ndër shumë miq që vinin, erdhi edhe një djalë i vetëm. Dukej që nga veshja se ishte i pastër, por rrobat e tij ishin disi të vjetra, dhe po shihte rrotull për të parë se cili dukej më plaku, që ta përshëndeste dhe t’i bënte respektin.

– Mirë se rrini, burra, – tha djali duke shikuar drejt tek kryeplaku.

– Mirë se vjen, mor bir, – u përgjigjen disa nga pleqtë.

– Me kë ke ardhur, mor bir? – e pyeti kryeplaku.

– Vetëm, – i tha djali.

– A nuk kishe burra të tjerë në shtëpi, mor djalë? – i tha kryeplaku.

– Jo, – i tha djali, – unë babën nuk e kam, kam vetëm nënën, kështu që erdha vetëm.

– E paç me jetë e me shëndet nënën, – i tha kryeplaku dhe e pyeti: – Po si e gjete rrugën, mor bir? Ky vend është disi i fshehtë.

– Unë punoj rrogëtar, – i tha djali, – bari dhish e dhensh, nga fshati në fshat, nga mali në mal dhe i njoh mirë këto bjeshkë. E di ku e bën pritën armiku dhe u shmangem atyre shtigjeve. E di ku dalin hajdutë dhe mundohem t’u rri larg edhe atyre. Di ku mblidhen ujqërit, ia di strofullën edhe ariut dhe i njoh brigjet edhe rrugët e malit. Kështu që e mora rrugën vetë kur mora vesh për mbledhjen e Kuvendit të Burrave të Dheut, dhe thashë të vij edhe unë t’i bashkohem Kuvendit. Im atë nuk ishte njeri i pasur, por më rriti me vështirësi, me nder dhe me besë. Unë nuk kam ndonjë pasuri për t’i ofruar Kuvendit të Burrave, por me nder dhe me besë e jetoj edhe unë këtë jetë.

– Nga vjen? – e pyeti kryeplaku djalin. – Nga viset e largëta, – iu përgjigj djali duke i treguar vendin se nga vinte. – Shtatë ditë e shtatë netë kam udhëtuar për të marrë pjesë në Kuvendin e Burrave të Dheut. Në të shtatë krahinat kam punuar dhe Zoti më ka ndihmuar të di se në ç’gur të shkel dhe ku të eci me siguri.

– Ende i njomë qenke, mor bir, për barrën që mban mbi supe, – i tha kryeplaku djalit. – Me nder e me besë, eja ulu këtu pranë meje.

Dhe djali e falënderoi kryeplakun me dorë në zemër dhe iu përul dhe nuk ia ktheu fjalën. Ndërkohë që disa e panë djalin me smirë, e të tjerë nuk e vunë në dyshim urtinë e kryeplakut, sepse disa deshën vetë të ishin pranë kryeplakut, e të tjerë kishin besë dhe kishin nder.

Shumë djem e shumë burra u mblodhën në Kuvendin e Burrave të Dheut, në majat e larta. Shumë djem u kthyen mbrapsht nga pleqtë që të mësonin durim, e disa të tjerë që u penduan dhe u rikthyen me pleqtë e tyre, pleqësia i fali dhe i pranoi në Kuvendin e fshehtë. Shumë djem e shumë burra i dhanë besën njëri-tjetrit në Kuvendin e Burrave të Dheut, në majat e larta, ku edhe nderi ishte i lartë, në bjeshkët e blerta, ku sofrat ishin të ulëta, dhe zemrat e ngrohta, brez pas brezi ndër shqiptarë në shekuj, nën mbrojtjen e Besës së Burrit dhe Besës së Zotit mbi qiej.

Dhe u fol çfarë u fol, dhe u betuan për ato që u betuan, e kush më mirë mund t’i dijë se malet që i mbartën ata burra? E kush më mirë mund t’i dijë se për çfarë folën, se puhizat që frynin në bjeshkë? E kush më mirë ua dinte zemrat e tyre se Zoti mbi qiell?

 

© All Rights reserved to the author and Calibur Inc.

Back to blog

Leave a comment